Një ngjarje e rëndë, po aq dhe e tmerrshme ka ndodhur në kryeqytet, Tiranë. Uniformat blu bëjnë me dije se një 35-vjeçar ka rënë në prangat e policisë duke parandaluar kështu një ngjarje të mundshme kriminale brenda familjes së tij.
Shtetasi Jetnor Zhabolli i cili tashmë ndodhet në arrest, mbante mbyllur në banesë nënën, bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur sa herë që ai largohej, duke ju ndaluar kështu komunikimin me persona të tjerë. Nga hetimet e kryera efektivët kanë arritur të zbulojnë se 35-vjeçari sa herë largohej nga banesa i monitoronte ato me kamera dhe i bllokonte valët e telefonit duke mos lejuar që të bisedojnë me persona të tjerë.
Gjithashtu, ky shtetas ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij.
Ndërkohë, të tjera detaje tronditëse kanë dalë në dritë. Burime për mediat bëjnë me dije se Zhaboli, me profesion ekonomist, prej fillimit të marrëdhënies ka qenë xheloz dhe kontrollues, mirëpo me kalimin e kohës u bë dhe më shumë. Ai kishte instaluar kamera në çdo cep të shtëpisë madje edhe në dhomën e gjumit dhe në tualet, duke monitoruar kështu familjaret e tij gjatë gjithë kohës.
Madje më herët u bë me dije se ai kishte montuar dhe bllokues valësh që në momentin që ai ndodhej jashtë banesës nëna, bashkëshortja dhe vajza mos të kishin mundësi komunikimi me asnjë person.
Ndër të tjera mësohet se bashkëshortja e 35-vjeçarit më herët kishte tentuar vetëvrasje. Efektivët e policisë gjatë kontrollit në banesën e familjes Zhaboli gjetën dy letra që gruaja kishte shkruar për familjarët e saj, ku iu linte lamtumirën dhe i kërkonte falje.