Dy helikopterë ushtarakë të Forcës Ajrore Britanike kanë fluturuar sot mbi sheshin “Skënderbej” në Tiranë si pjesë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e mbrojtjes.
Të pranishëm në aktivitet ishin përfaqësues të Forcave të Armatosura Shqiptare, atyre britanike, ambasadori britanik në Tiranë dhe përfaqësues të Bashkisë.
Gjenerali Ilir Xhebexhia tha për mediat nga sheshi “Skënderbej” se për këtë vit është planifikuar stërvitje e përbashkët mes forcave speciale shqiptare dhe atyre britanike përmes dy fazave.
“Ne kemi vite që zhvillojmë stërvitje të përbashkëta me ushtrinë britanike dhe sivjet është planifikuar stërvitja me forca speciale, me të cilat ne kemi bërë dhe një binjakëzim, Forcat Speciale me Rangers të Britanisë së Madhe, dhe jemi duke u stërvitur të gjithë së bashku. Stërvitja do të vazhdojë në 2 seanca; Faza e parë do të jetë në Zall Herr ku edhe janë të dislokuara Forcat Speciale dhe faza e dytë do të jetë në Britaninë e Madhe”, u shpreh Gjenerali Ilir Xhebexhia.
Kjo stërvitje tregon partneritetin në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, që këtë vit shënohet edhe 15-vjetori në anëtarësimit në NATO të vendit tonë. Pas stërvitjes me Britaninë, Forcat e Armatosura Shqiptare do të vijojnë stërvitjen me ushtrinë amerikane.