Alda Nikolli, një nga motrat që iu vu tritol në banesën ku jeton në Elbasan, akuzon Nuredin Dumanin për këtë ngjarje. Duke folur për mediat ajo ka treguar se me Dumanin ka pasur komunikime prej dy muajsh, edhe pse ai ndodhet në burgun 313, por marrëdhënia mes tyre ka përfunduar me kërcënime.
Me Dumanin ajo thotë se është njohur nëpërmjet partnerit të motrës së saj Xhovanës, Amarildo Xhanejt, i cili ndodhet në të njëjtin burg. Sipas saj, Nuredini i ka kontaktuar dy motrat më qëllim për t’i përdorur dhe se ajo nuk e dinte që kishte një të dashur, e cila është bërë shkak për kërcënimet e marra.
“Nuredin Dumanin e kam njohur nëpërmjet kunatit tim Amarildo Xhanejt, që ndodhet në burgun 313. Mendova që donte të njiheshim, por paska pasur qëllim të na përdorë si mua dhe motrën time Xhovanën. Unë nuk e dija që Nuredini kishte të dashur jashtë. Mirjetën. E cila më kërcënoi, më tha më fakto që flet me Nuredinin. Kur ja faktova me një voice, 5 minuta më vonë Nuredini më mori në telefon dhe më kërcënoi. Më pas bllokoi adresat, më la të qetë dy ditë e pastaj veproi”.
Ajo thotë se Dumani ka tentuar të dëmtojë statusin e të penduarit të drejtësisë së Amarildos, por kur dështoi ai veproi hapur në burg.
“Më ka kërcënuar me Amarildon, e ka rrahur dy herë në burg brenda 1 jave e gjysmë”.
Sipas saj, Dumanin nuk e pengojnë muret e qelisë për të vijuar aktivitetin kriminal.
“Jo më larg se para ca ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro, e ka detyruar të pranojë gjëra që si ka bërë me presion. Do t’i vinte gjobë dhe Dakut, Leonard Luzit. Ai kështu jeton duke u vënë gjoba njerëzve sepse nuk ka lekë”.