Një shqiptare lezbike do të deportohet nga Britania e Madhe pas një beteje ligjore gjashtëvjeçare, në të cilën apeli i saj kundër largimit shkoi deri në Gjykatën e Lartë.
Vajza, e njohur vetëm me iniciale L.A, e cila mbërriti në Britani në anën e pasme të një kamioni në nëntor 2018, pretendoi se si lezbike myslimane do të persekutohej nëse largohej nga Britania e Madhe dhe kthehej në Shqipëri.
Por një gjykatës tha se nuk kishte asnjë provë për ndonjë rrezik që ajo do të lëndohej ose persekutohej nëse kthehej në vendin e saj. Ata hodhën poshtë ankesën e saj kundër dëbimit, duke thënë se arsyet mbi të cilat ajo mbështetej ishin “të pashpresa”.
Gjyqtarët urdhëruan shqiptaren që ajo të paguante shpenzimet ligjore të Qeverisë dhe i bënë të qartë se aplikime të ngjashme për leje qëndrimi si azilantë nuk duhet të paraqiten para gjykatës në të ardhmen.
Edhe pse shqiptarja tani nuk ka asnjë mundësi për të kundërshtuar dëbimin e saj në gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar, ajo ende mund të paraqesë një kërkesë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Zyra e Brendshme hodhi poshtë kërkesën fillestare për azil të shqiptares në maj 2019 duke e cilësuar si të pabazuar në fakte. Asaj iu dha leja për të aplikuar për një rishikim gjyqësor të vendimit dhe Home Office ra dakord ta rishqyrtonte. Në mars 2020, asaj iu tha se mund të apelonte në gjykatën e nivelit të parë, por nuk e bëri këtë dhe në maj 2021, ajo u ndalua dhe iu dha udhëzime për largimin.