Një tjetër protestë është zhvilluar ditën e sotme në Tiranë, përpara kryeministrisë. Punonjës nga profesione të ndryshme kanë zgjedhur ditën e sotme, që shënon festën ndërkombëtare të punonjësve, që të kërkojnë më shumë të drejta dhe trajtim dinjitoz.
“Dinjitet për punëtorët”, shkruhet në një nga pankartat që protestuesit mbajnë në duar, ndërkohë që pjesë e protestës ishin dhe minatorët, të cilët përsëritën kërkesat e tyre për marrjen e statusit.
“Oficerët kanë status, të gjithë kanë status, jemi në kushtet më të vështira. Jemi të diskriminuar, të sëmurë, asnjë nuk merr parasysh kërkesat tona. I kemi dhënë ekonomisë shumë të ardhura, sot jemi të persekutuar”, tha një minator.
Ndërsa një përfaqësuese e sindikatës së arsimit deklaroi se duhet të dyfishohet paga dhe t’i kthehet vëmendja shkollave.