Prokuroria e Tiranës ka bërë më dije se është marrë e pandehur gjyqtarja Arnisa Këlliçi për ‘Kallëzim të rremë’ dhe ‘Falsifikim të dokumenteve’, pasi denoncoi se ishte kërcenuar.
Gjyqtarja deklaroi se kishte marrë një letër kërcënuese në zyrën e saj, ndërkohë që Prokuroria thotë se kjo letër është shkruar nga vetë ajo.
Denoncoi se u kanos dhe siguroi mbrojtje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Prokuroria Tiranë merr të pandehur gjyqtaren A.K. për ‘Kallëzim të rremë’ dhe ‘Falsifikim të dokumenteve’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka regjistruar Procedimin Penal, nr.552 të vitit 2024, për veprën penale të “Kanosje e Gjyqtarit” parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal, me kallëzuese Gjyqtaren A. K.
Në datën 20.01.2024 në orën 23:10 min, në Komisariatin e Policisë nr 3, Tiranë është paraqitur dhe ka bërë kallëzim penal gjyqtarja A. K., e cila ushtron funksionin e saj pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dhoma penale.
Gjyqtarja ka pretenduar se në zyrën e saj, e cila ndodhet në katin e tretë, zyra nr 321, ka konstatuar se i ka ardhur një letër me anë të postës, me tekst, “E dashur gjyqtare A….., keni dy fëmijë, D…… dhe R…….. Mendoni për ta se mund të rroni ju e jo ata dhe kjo është e rëndë. Me respekt!”.
Ndër të tjera, kallëzuesja ka shpjeguar se në datën 20.01.2024 rreth orës 11:00, ka shkuar në zyrë pasi kishte një seancë gjyqësore, me objekt, shuarje mase sigurimi. Në momentin që ka hyrë në zyrën e saj, në tavolinën e saj të punës mbi dosje, ka gjetur një zarf dhe brenda tij ishte letra e cituar më sipër, të cilën pasi e ka lexuar, e ka futur në kasafortë. Për këtë letër nuk ka asnjë të dhënë tjetër apo dyshime, por është ndjerë e trembur, sepse janë përdorur emrat e fëmijëve të saj.