Problemet me energjinë elektrike dhe degradimi i rrugës që lidh Fushë-Milotin me superstradën Lezhë-Milot dhe disa fashtra të Kurbinit, ngritën në protestë sot banorët.
Rreth 5 km segment rrugor është i dëmtuar plotësisht, pasi asfalti është çarë në disa pika dhe janë hapur gropa të madha. Kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë që marrin inerte në Lumin Mat kanë dëmtuar rrugen, shprehen banorët e Fushë Milotit.
“Nuk kalojnë dot as fëmijë, ka pluhur, baltë. Kjo rrugë ka vite që është kështu dhe nuk vihet dorë. Ne kërkojmë të bëhet rruga, të kalojnë makinat pa dëmtime. Kamionat janë shqetësimi kryesor.
Shko te bashkia, thotë e ka ARRSH, kjo nuk pyet. 10 ditë na kërkuam afat për ta riparuar, nëse nuk rregullohet do bllokojmë rrugën. Kjo rrugë lidh 1 katunde”.- shprehen të shqetësuar banorët.
Ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike, janë një tjetër problem i banorëve të Fushë-Milotit.
Që prej ndërtimit të rrugës së re nacionale Lezhë-Laç, ky segment rrugor është lënë jashtë vemendjes nga institucionet përgjegjëse, ndërsa mungesë investimesh ka dhe në rrjetin elektrik. Nëse kërkesat e tyre nuk do të marrin vemendje, banorët paralajmërojnë përshkallëzim të reagimit të tyre deri në bllokim të superstradës.