Pandemia COVID-19 kaploi mbarë botën, nën ethet jo vetëm shëndëtësore por edhe spikologjike duke lënë pasoja afatgjata në shoqërinë shqiptare.
“Pandemia ishte një sulm i papritur virusal dhe si të tillë e gjeti të papërgatitur edhe shëndetin tonë mendor. U vu re një trend, i cili rezultoi në një krizë globale për shëndetin mendor, duke ushqyer kështu stresin akut dhe atë kronik. Pra stresin afatgjatë dhe atë afatshkurtër”, kështu shprehet Arjana Rreli, mjeke psikiatre prej 30 vitesh në shërbimin ambulator në Tiranë.
Të dhënat e siguruara nga tregojnë se pandemia e COVID-19 e rriti me gati 15% numrin zyrtar të pacientëve që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, ndërkohë që vendi vazhdon të ketë kapacitete të limituara për t’u përballur me këto probleme.
Ministria e Shëndetësisë i komunikon BIRN se po i adreson pasojat e COVID-19 në shëndetin mendor me hartimin e disa strategjive, mes të cilave edhe strategjia kombëtare e shëndetësisë 2021-2030.
“Gjithashtu po hartohet Plani i Veprimit të Shëndetit Mendor 2023-2026, i cili do të ketë në fokus fuqizimin e shërbimeve të shëndetit në përballje të sfidave të lidhura me pandeminë e COVID-19″, shtoi Ministria.
Shqipëria shënon rekordet më të ulëta në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor për numrin e mjekëve psikiatër dhe punonjësit specialistë të shëndetit mendor.
Sipas Atlasit të Shëndetit Mendor 2020, një raport krahasues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria ka 1.6 mjekë psikiatër dhe 13.6 specialistë të shëndetit mendor për 100 mijë banorë; shifra disa herë më të ulëta se Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo Bosnje dhe Hercegovina.
Raporti i OBSH vlerëson gjithashtu se vendi investon pothuajse asgjë në studime shkencore për shëndetin mendor dhe nuk ofron të dhëna mbi kapacitetet humane dhe financiare për zbatimin e planeve në fuqi të veprimit për këtë fushë.
Në mars të vitit 2022, OBSH u bëri thirrje vendeve që të merrnin masat e nevojshme për të garantuar shërbimet e shëndetit mendor, duke zbuluar gjithashtu mungesë historike të investimeve në këtë drejtim në shumë vende në zhvillim.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i personave të referuar se vuajnë nga probleme të shëndetit mendor u rrit nga 33 mijë e 900 në 40 mijë nga viti 2018 deri në fund të vitit 2021.
Në dispozicion të këtyre pacientëve janë 100 mjekë psikiatër; 43 prej të cilëve shërbejnë në spitalet publike dhe 57 mjekë të tjerë në shërbimin ambulator shëndetësor.
Ndërkohë, 2855 pacientë rezultojnë të shtruar deri më 30 nëntor 2022 në katër spitale të vendosura në Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe në shërbimin e Psikiatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Për t’u përballur me sfidën e shëndetit mendor, Shqipëria shpenzon rreth 1.1 miliardë lekë ose rreth 10 milionë euro në vit, sipas të dhënave të pjesshme që BIRN siguroi nga Ministria e Shëndetësisë.
Rreth 774 milionë lekë u shpenzuan në tre spitalet psikiatrike në Elbasan, Vlorë dhe Shkodër, ndërsa 381 milionë lekë shkuan për rimbursimin e barnave psikoleptike dhe psikoanaleptike që përdoren për trajtimin e çrregullimeve të shëndetit mendor në Kujdesin Shëndetësor Parësor, jashtë shërbimit spitalor.
“Sa i përket shërbimit të psikiatrisë në Polin e Integruar të Neuroshkencës [QSUT]…ju bëjmë me dije se nuk ka një buxhet të dedikuar për të, pasi nevojat e këtij shërbimi përfshihen në fondin total të buxhetit të parashikuar për institucionin”, tha Ministria në një përgjigje me shkrim.