Ka nisur sot zyrtarisht tregtimi i energjisë elektrike nga Bursa Shqiptare e Energjisë ALPEX duke u bërë bursa e dytë operacionale në rajon. Në nisje të saj u zhvillua një ceremoni e veçantë, ku u realizua ankandi i parë në tregun e ditës në avancë në Shqipëri, ndërsa në vjeshtë pritet që edhe Kosova të organizojë ankandin e parë dhe të realizohet bashkimi i dy tregjeve. Çmimi mesatar i shitjes së energjisë për 24 orët e ardhshme rezultoi 130.98 euro /MWH ndërsa volumet e shitura janë 7146.2 MWH.
Tashmë zyrtarisht vendi ynë ka një bursë energjetike, e dyta në rajon, e cila i përket Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.
Tani po fillon një hap i ri, një sfidë e re për krijimin e likuiditeteve që duhet të ketë kjo bursë. Qeveria shqiptare ka prioritet mbrojtjen e konsumatorit nga çmimet marramendëse të tregut”, theksoi zv. kryeministrja Belinda Balluku.
Prodhuesit privatë të energjisë do të kenë mundësi të konkurrojnë me njëri-tjetrin duke përfituar nga bursa, por duke i dhënë mundësinë edhe industrisë vendase dhe tregut ndërkombëtar për të marrë energji elektrike me çmime sa më të konkurrueshme, e sa më të ulëta.