Autostrada Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë dhe kjo është zyrtarizuar nga qeveria në një dokument që mban datën 13 dhjetor.
Sipas këtij dokumenti të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe që lidhet me projektin e urave në vend, Ura e Beshirit që ndodhet në aksin Tiranë-Ndroq-Plepa do të përmirësohet si një mundësi alternative kundrejt audostradës që do të jetë me pagesë.
Në dokumentin e ARRSH thuhet:
“Në aspektin gjeografik, pjesa rrugore Tiranë – Ndroq – Plepa, ndodhet në pjesën e Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë, në rrethin e Tiranës dhe Durrësit. Duke ndjekur zhvillimet në autostradën e shpejtë Tiranë-Durrës rrugë përdoret herë pas here kur ka bllokime në autostradë ose kur përdoruesit e rrugës kanë nevojë për një pamje panoramike të shoqëruar me shumë pika agroturizmi përgjatë rrugës. Autostrada Tiranë-Durrës është korridori kryesor ekonomik i vendit që lidh kryeqytetin me portin kryesor, Durrësin dhe nga veriu në jug. Rreth 40 për qind e popullsisë së vendit jeton në këtë segment. Përmirësimi i planifikuar i autostradës aktuale ndërmjet Tiranës dhe Durrësit do të përfshijnë një sistem pagese, ndaj duhet të ofrohet një rrugë alternative . Për këtë qëllim rruga që lidh dy qytetet përmes Ndroqit dhe Plepave duhet të zgjerohet”.
Më tej në dokument sqarohet fakti se ndërtimi i Korridorit Adriatiko-Jonian përfshin një autostradë të re nga Vora për në Ndroq, dhe që do të tërheqë trafik të konsiderueshëm që vjen nga Veriu i Shqipërisë dhe nga Tirana. E duke ditur se këto udhëtime do bëhen përmes Durrësit, autostrada duhet të plotësohet me një përmirësim të segmentit Tiranë-Ndroq për shkak të flukseve Tiranë-Rrogozhinë që do të përdorin më pas atë segment.
“Rruga SH56, Tiranë – Ndroq – Plepa, përfaqëson një rrugë të rëndësishme me potencial të lartë ngarkese trafiku. Rruga lidh Tiranën me bregdetin e Adriatikut dhe funksionimi i dobët i saj zvogëlon ngarkesën e trafikut dhe bën që autostrada SH2 të ketë një ngarkesë të shtuar të trafikut. Rëndësia e kësaj rruge lidhet edhe me faktin që ajo mund të shërbejë si rrugë rezerve në rast se SH2 pëson ndonjë dëmtim. Rruga ekzistuese dhe ajo e rikonstruktuar (SH2 dhe SH56) ndodhen në zonën me rrezikshmëri të lartë nga rreziqet natyrore, veçanërisht nga përmbytjet, me një vlerësim vjetor të dëmeve prej 13 milion Euro” thuhet në dokument.