Shoferi që përplasi për vdekje 30-vjeçarin shqiptar Dorjo Duka në Pontebbana, Itali, ishte nën efektin e kokainës dhe alkoolit. Mediat italiane raportojnë se 45-vjeçari nga Conegliano, ishte duke vozitur nën ndikimin e alkoolit dhe drogës kur të dielën, më 21 janar, kaloi në korsinë përballë tij dhe përplasi për vdekje shqiptarin dhe plagosi rëndë kushëririn e tij dhe pasagjerin me të cilin ai vetë udhëtonte.
45-vjeçari, i lindur në Conegliano, por banues në Codognè, drejtonte një mjet “Mercedes CLA 250” kur u përplas me mjetin “Fiat Grande Punto” të drejtuar nga shqiptari dhe pasagjer kushëriri i tij 25-vjeçar, i cili ndodhet në spital në gjendje intensive. Të mërkurën, atij iu desh t’i nënshtrohej një operacioni urgjent për shkak të komplikimeve shëndetësore.
Kanë qenë familjarët dhe nusja e Dukës, me të cilën ishte martuar 9 ditë më parë, ata që kanë kërkuar drejtësi dhe të vërtetën mbi shkakun e aksidentit.
Hetimet e autoriteteve italiane vijojnë për të rindërtuar dinamikën e saktë, shkaqet dhe të gjitha përgjegjësitë e aksidentit tragjik. Një konsulent teknik zyrtar do të ketë për detyrë të analizojë të dhënat nga kutia e zezë e Mercedesit për të vlerësuar me saktësi shpejtësinë e ruajtur në momentin e përplasjes, por edhe më shumë. Në bazë të rezultateve të analizave të gjakut të cilave iu nënshtrua, 45-vjeçari nga Treviso ka rezultuar në gjendje të dehur por edhe nën efektin e lëndëve narkotike, konkretisht kokainës, në momentin që ka ndodhur aksidenti.
Duka kishte shkuar në Itali për të festuar ditëlindjen e kushëririt 25-vjeçar. Familja e tij dhe komuniteti shqiptar po përgatitet t’i japë lamtumirën e fundit. Ditën e djeshme, 24 janar, trupi u nis nga Pordenone për në Bari pasi do të nisej me traget për në Shqipëri. Varrimi i të riut shqiptar do të bëhet të premten, më 26 janar.