Ajet Salla është 27-vjeçari i arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë, pasi prezantohej si efektiv policie dhe zhvaste shuma parash nga punonjëse seksi.
I riu kryente marrëdhënie seksuale me eskortat në Tiranë dhe më pas iu merrte para duke i kërcënuar se do t’i arrestonte për prostitucion.
Ai përdorte mjete identifikuese si ato të strukturave të ndryshme të Policisë së Shtetit dhe gjatë arrestimit i është gjetur një stemë policie, të cilën e përdorte për t’u bërë më i besueshëm sikur të ishte punonjës policie.
Por përveçse zhvaste eskortat e prostitutat me të cilat linte takime, 27-vjeçari ishte dhe vetë i përfshirë në rrjetin e prostitucionit. I riu kishte 10 adresa në rrjetin social ‘Instagram’ me emra vajzash dhe nëpërmjet tyre fliste me meshkuj të tjerë duke u sjellë si grua dhe ofruar shërbime seksi kundrejt pagesës.
Pasi caktonte takimet në hotele dhe çmimet, ai dërgonte një nga vajzat që punonin për të për t’u takuar me klientët, çfarë nënkupton se ai shërbente edhe si tutor.