Claudia Sheinbaum është zgjedhur presidentja e parë grua e Meksikës në një fitore historike dërrmuese.
Rezultatet paraprake treguan se ish-kryebashkiakja 61-vjeçare e qytetit të Meksikos fitoi midis 58% dhe 60% të votave në zgjedhjet e së dielës. Kjo i jep asaj një epërsi prej gati 30 pikë përqindjeje ndaj rivales së saj kryesore, biznesmenes Xóchitl Gálvez.
Sheinbaum do të zëvendësojë, Presidentin në largim Andrés Manuel López Obrador, më 1 tetor. Sheinbaum, një ish-shkencëtare e energjisë, ka premtuar vazhdimësi, duke thënë se ajo do të vazhdojë të ndërtojë mbi “përparimet” e bëra nga z. López Obrador.
Në fjalimin e saj të fitores, ajo u tha votuesve: “Unë nuk do dështoj”.
Mbështetësit e saj po festojnë në Zócalo, sheshin kryesor të qytetit të Meksikos, duke valëvitur pankarta ku lexojnë “Claudia Sheinbaum, presidente”.
Sheinbaum ka një diplomë në fizikë dhe një master dhe doktoraturë në inxhinierinë e energjisë. Ajo ka marrë disa vlerësime për karrierën e saj akademike.
E lindur në Mexico City në vitin 1962, ajo ka dy fëmijë dhe një nip. Partneri i saj, Jesús María Tarriba, të cilin e takoi në universitet ndërsa të dy studionin për fizikë, aktualisht është një specialist i rrezikut financiar në Bankën e Meksikës.