Një “shtëpi bari” dhe një arsenal me armë i fshehur në një mur të dyfishtë, është zbuluar në Shijak. Policia ka bërë me dije se një banesë katër kate, në pronësi të dy vëllezërve nga Shijaku, ishte përshtatur për të kultivuar lëndë narkotike, përkatësisht dy katet e fundit.
Po ashtu brenda një muri të dyfishtë, ishin fshehur një arsenal armësh, ku mes të tjerash janë sekuestruar 10 kallashnikov, 1 pushkë, granata dore, jelek antiplumb dhe municion luftarak.
Në pranga ka rënë një 46-vjeçar ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij, i cili rezulton se ka precedent të mëparshëm kriminal.
Policia po vazhdon hetimet, ndërsa dyshohet se dy vëllezërit mund të jenë financuar nga grupe kriminale për ndërtimin e “shtëpisë së barit”, si dhe për mbajtjen e arsenalit të armëve.