Taekwondo është një sporti që po merr zhvillim të fuqishëm në Shqipëri. Sot që flasim ka qindra fëmijë të apasionuar pas tij dhe që ëndërrojnë një ditë të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi në arenën europiane e pse jo edhe atë botërore.
Përtë parën herë në vend u zhvillua kampi i taekwondo që bëri bashkë sportistë nga 4 vende të ndryshme të rajonit. Greqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria u bënë bashkë në atë që quhej “Tirana Challenge”, një event që kishte për qëllim masivizimin e taekwondo-së.
Në një nga palestrat në kryeqytet, 130 të rinj e të reja u stërvitën nga mjeshtrit e taekwondo-së, si dhe shkëmbyen eksperiencat nga vendet e tyre.
Organizatori i këtij aktiviteti, Julian Caca, tregoi se ky event është vetëm fillimi i një pune të gjatë. Sipas tij, fëmijët kanë cilësi dhe premtojnë për të ardhmen.
Të shumtë ishin dhe fëmijët nga Greqia të cilët për mikrofonin e A2 CNN u shprehën se i pëlqen Shqipëria dhe dëshirojnë që aktivitete të tilla të jenë dhe më të shpeshta.
Edhe trajneri nga Mali i Zi, u shpreh së taekwondo sjellë shumë përfitime të fëmijët, ndërsa theksoi se niveli dhe cilësia e këtij sporti po rritet çdo ditë.
Dëshira për të qenë gjithmonë fitues vërehet te çdo lëvizje që ata bëjnë. Të palodhur, serioz dhe luftarak. Ata njëzëri shprehen se kurrë nuk do të dorëzohen për të arritur ëndrrën e tyre.