Për bashkëshortët Emre Nuredhini dhe Xhina Hysenaj rëndon akuza e trafikimit të qenieve njerëzore në mënyrë të jashtëligjshme, pasi do të shisnin fëmijën e tyre për shumën 5 mijë euro.
27- vjeçari është arrestuar nga uniformat blu të Durrësit, pas videos së publikuar nga emisioni investigativ “Fiks Fare” ndërsa bashkëshortja 25- vjeçare është proceduar në gjendje të lirë.
Nga filmimi videos shihen duke biseduar bashkëshortët më një tjetër person, (i infiltruar nga stafi emisionit) për marrëveshjen e shitjes së fëmijës që e reja shtatzënë mbante në bark kundrejtë shumës 5000 euro.
Durrës
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin E. N., 27 vjeç, banues në Durrës, si dhe referuan materialet në Prokurori, për shtetasen Xh. H., 25 vjeçe, për të cilën ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Mbrëmjen e djeshme, këta dy shtetas janë shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një shtetas tjetër (i infiltruar nga stafi i këtij emisioni), për të shitur foshnjën që mbante në bark bashkëshortja shtatzënë (shtetasja Xh. H.), kundrejt shumës 5000 euro.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, mbetur në tentativë, dhe vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Policia e Durrësit falënderon mediat që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton që të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të rasteve të paligjshmërive që ata ndeshin gjatë punës së tyre.