Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë këtë të martë rekomandimin për Këshillin Ministror të organizatës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Një votim me 2/3 do t’i hapte rrugë vendimarrjes finale të Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta ketë më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, tha se dita e sotme e votimit është një hap i madh drejt anëtarësimit. Megjithatë ajo shton se ky nuk është është hapi final, sepse anëtarësimi i plotë kërkon votën e ministrave të jashtëm.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbajti të hënën një dalje publike në televizionin shtetëror të Serbisë, ku tentoi të impresiononte publikun se di informacione “sekrete” që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Ai shtoi se kjo do të bëhet “për të thënë se ka nisur procesi rreth Asociacionit e në fakt s’ka nisur asgjë”.
“Tani kanë krijuar një truk të ri dhe unë dua t’i njoftojë qytetarët për të – e kjo është që më 10 maj do të thonë se do ta çojnë aktin (draft-statutin e Asociacionit) që evropianët e kanë propozuar në Gjykatën Kushtetuese, për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, për të thënë se ka nisur procesi rreth Asociacionit e në fakt s’ka nisur asgjë. Pastaj (ndërkombëtarët), do të na thonë se kjo është arsyeja që ne po votojmë për Kosovën në Këshillin e Evropë. Pra, kjo është ajo që do të ndodhë”, tha ai.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.