Qëndresa Qytetare ka denoncuar drejtorët e shkollave në Shqipëri pasi, sipas saj, po vendosin gjoba ndaj prindërve për të regjistruar fëmijët e tyre në klasat e para.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Qëndresa Qytetare ka kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve të nisë një hetim administrativ mbi këtë fenomen që, sipas tyre, është më i përhapur në shkollat e zonës së ish Bllokut dhe qendrës së Tiranës, por edhe në rrethe.
Thirrja e Qëndresës Qytetare shkon edhe për Bashkinë Tiranë, që të rishikojë çështjen e adresave, pasi përmes këtij preteksti, qindra fëmijë privohen për të ndjekur shkollimin në një institucion arsimor të caktuar.
Reagimi:
Regjistrimet në klasat e para, prindërit të ekspozuar përballë gjobëvënies drejtorëve, MAS të nisë hetimet!
Në një kohë që rajone me nga 70 mijë banorët si Astiri ose Kodra e Diellit nuk kanë një institucion arsimor, regjistrimi fëmijëve në shkolla është kthyer në një mision të vështirë për prindërit dhe në jo pak raste të kushtueshëm.
Me pretekstin mungesës së adresës së banimit, prindërit janë të ekspozuar përballë gjobëvënies që nis nga njësia administrative e deri tek drejtori i shkollës për të regjistruar fëmijën në klasën e parë.
Ky fenomen është më i përhapur në shkollat e zonës së ish Bllokut dhe qendrës së Tiranës, por edhe në rrethe.
Qëndresa Qytetarë i kërkon Ministrisë së Arsimit që me një udhëzim të posaçëm ti kërkojë zyrave arsimorë të nisin një hetim për këtë çështje.
Qëndresa Qytetare i kërkon Bashkisë Tiranë të rishikojë çështjen e adresave, pasi është absurde që më pretekstin e adresës qindra fëmijë të privohen për të ndjekur shkollimin në një institucion arsimor të caktuar.
Qëndresa Qytetare fton prindërit që të denoncojnë pranë nesh dhe pranë institucioneve përkatëse çdo rast kur nga drejtorët e shkollave u është kërkuar ryshfet për të regjistruar fëmijët në shkolla, njofton Qëndresa Qytetare.