Supë me peshk mund të duket një recetë e vështirë, por përkundrazi, kjo recetë është shumë e thjeshtë dhe mund të përgatitet edhe me pjesë të ndryshme peshku.
Supë me peshk
Përbërësit
- 1 kg peshk ose kocka peshku
- 300 gr patate
- 1 kokërr qepë
- 2 karota
- 100 gr kungull
- 1 spec i kuq
- selino
- kripë
- piper
- vaj ulliri
Përgatitja
- Për të përgatitur supë me peshk, në rast se kemi peshkun e plotë, e pastrojmë e lajmë peshkun dhe e vëmë në një enë me ujë të bollshëm. Peshkun e prerë ne tre pjesë dhe degën e selinos e vëmë të ziejë në zjarr të avashëm për gati 20 minuta pasi merr valë.
- Gjatë zierjes në enë shtojmë edhe kripën. Për supë zakonisht përdoret peshku i madh por lloji i peshkut duhet të jetë pa shumë dhjamë.
- Ndërkohë që zien peshku merremi me perimet. Pastrojmë e lajmë të gjitha perimet dhe i presim në forma që dëshirojmë, por të kemi parasysh që ti presim në të njëjtën madhësi. Në një enë me vaj ulliri kaurdisim qepën sa të zverdhet pak.
- Pasi zien peshku, heqim peshkun nga ena me kujdes të mos e prishim. Lëngun e kullojmë se mos ka ndonjë halë dhe e shtojmë në enën që kemi qepën. Në enë shtojmë të gjitha perimet dhe i lemë të ziejnë për gati 15 minuta.
- Supën e rregullojmë me kripë e piper sipas dëshirës. Gjatë servirjes në pjata shtojmë peshkun të pastruar nga halat. Supë me peshk këshillohet të konsumohet e ngrohtë.
Ju bëftë mirë!