Tronditja e pësuar në “El Clasico”, në finale ne Superkupës, ka lënë jo pak pasoja në radhët e Real Madrid, kjo u pa qartë në Kupën e Mbretit, në pjesën e parë kundër Villareal, ku ekipi i Ancelottit dukej i fjetur, pësuan dy gola duke vënë ndjeshëm në pikëpyetje kualifikimin.
Me fillimin e pjesës së dytë, Ancelotti uli në stol Kroos dhe Rodrygo ndërsa në minutën e 57-të, Vinicius ngushtoi shifrat në 2-1. Në të 69-të ishte Militao përfitoi nga një rrëmujë në zonë duke barazuar rezultatin në 2-2. Madrilenët nuk e ulën ritmin për asnjë moment dhe në minutën e 86-të Dani Cebrellos realizoi edhe golin e tretë duke përmbysur rezultatin dhe duke siguruar një biletë për më tej.
Feston për këtë përmbysje, për këtë sukses, mbi të gjitha Carlo Ancelotti: “Me sa duket jemi rikthyer. Pjesa e parë nuk shkoi mirë, në këto raste është e vështirë të ndryshosh dinamikën e lojës, por skuadra pati besim, tregoi karakter dhe personalitet. Kjo pjesë e dytë më jep shumë besim, nuk u dorëzuam dhe luftuam për çdo top. Nuk mund të luajmë si në pjesën e parë, por reagimi ishte spektakolar, kjo skuadër nuk dorëzohet kurrë”, u shpreh Ancelotti pas ndeshjes.