Të paktën 25 persona, përfshirë tre fëmijë, u plagosën në sulmet me raketa ruse në Dnipropetrovsk gjatë mesnatës së të hënës, tha guvernatori i rajonit ukrainas.
Raketat goditën një zonë banimi në qytetin e Pavlohrad, duke dëmtuar shtëpitë, shkollat dhe dyqanet.
Forcat e Mbrojtjes Ajrore të Ukrainës kapën mesnatën e së hënës 15 nga 18 raketa lundrimi ruse të lëshuara nga rajonet veriperëndimore të Arktikut Rus dhe Detit Kaspik, tha në një deklaratë komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
“Rreth orës 2:30 të mëngjesit, pushtuesit rusë sulmuan Ukrainën duke përdorur aeroplanë strategjikë – kishte nëntë Tu-95 nga zona e Olenegorsk (rajoni Murmansk) dhe dy Tu-160 nga Deti Kaspik”, tha Valerii Zaluzhnyi.
Kjo vjen pasi ushtria ukrainase tha se Rusia nisi një raund të ri sulmesh me raketa vdekjeprurëse në vend të hënën, duke rezultuar në një numër të paspecifikuar viktimash.
Rusët kryen gjithashtu “27 sulme ajrore dhe gjuajtën 45 predha MLRS (sistemi me raketa të shumta lëshuese) në pozicionet e trupave ukrainase dhe zonat e banuara, duke rezultuar në vdekje dhe lëndime në mesin e popullatës civile,” thuhet në përditësim.
Deklarata nuk specifikoi numrin e civilëve që ishin vrarë apo plagosur.
Qyteti i Kiev i sulmuar: Më herët të hënën, zyrtarët e Kievit raportuan se sulmet me raketa ruse në kryeqytet dukej se ishin zmbrapsur nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.
“Bazuar në raportet fillestare, të gjitha raketat dhe dronët e armikut u shkatërruan në hapësirën ajrore të Kievit nga forcat tona të mbrojtjes ajrore”, tha në një deklaratë Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit.
“Aktualisht, nuk ka pasur viktima të raportuara në mesin e popullatës civile apo dëmtime në ndërtesa banimi apo infrastrukturë,” tha Popko, duke shtuar se informacioni “po verifikohej”.