S’kanë të mbaruara telashet për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.
Pas akuzave për përdhunim tashmë i shtohet dhe akuza për falsifikim dokumentash.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump shkroi në rrjetet sociale se avokatët e tij ishin informuar se ai ishte paditur në lidhje me keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara .
“Administrata e korruptuar e Bidenit ka informuar avokatët e mi se jam akuzuar, me sa duket për mashtrimin e kutive”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Departamenti i Drejtësisë nuk kishte asnjë koment apo konfirmim të menjëhershëm.
Trump shkroi se ai ishte thirrur të paraqitej në gjykatën federale në Miami të martën. Ai shprehu pafajësinë e tij në një video të postuar në rrjetet sociale.
Ish-presidenti është paditur për shtatë pika, raportuan mediat. Ato lidhen me trajtimin e tij të dokumenteve të klasifikuara dhe pengimin e drejtësisë.
Rasti është një nga hetimet e shumta ndaj ish-presidentit amerikan .
Ai u padit në mars në Nju Jork për një hetim për paratë e heshtura të paguara yllit të filmit për të rritur Stormy Daniels dhe ende përballet me hetime në Uashington dhe Atlanta që mund të rezultojnë gjithashtu në akuza penale.
Çfarë dimë për rastin?
Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka hetuar nëse ish-presidenti ka keqpërdorur dokumentet që mbante pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021.
Rreth 13,000 dokumente u sekuestruan nga pasuria e Trump në Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, vitin e kaluar. Prej tyre, rreth 100 u shënuan të klasifikuara.
Avokatët e Trump kishin thënë më herët se të gjitha të dhënat e klasifikuara i ishin rikthyer qeverisë.
Trump kishte mbrojtur mbajtjen e dokumenteve, duke sugjeruar se i kishte deklasifikuar ato kur ishte në detyrë. Ai kurrë nuk dha prova për të mbështetur këtë pretendim.