Me ligjin e ri që legalizon eutanazinë, Portugalia i bashkohet një numri të vogël vendesh që lejojnë vdekjen me ndihmën mjekësore.
Parlamenti portugez miratoi të premten një projekt-ligj që synon të legalizojë eutanazinë për njerëzit që vuajnë nga sëmundje terminale.
Projektligji i cili u prezantua për herë të parë tre vjet më parë, u miratua të premten pas katër përpjekjeve të mëparshme të dështuara.
Çfarë lejon ligji
Sipas ligjit të ri, personave mbi 18 vjeç do t’u lejohet ndihmë për të vdekur në rastet kur vuajnë nga një sëmundje e pashërueshme. Ligji i ri lejon eutanazinë vetëm për njerëzit që janë të aftë mendërisht për të marrë vendimin dhe që vuajnë dhimbje “të qëndrueshme” dhe “të padurueshme”.Vetëm qytetarët dhe banorët e ligjshëm janë nën kompetencën e ligjit i cili nuk shtrihet tek të huajt që vijnë në Portugali për të kërkuar vdekje të asistuar.
Çështja e Eutanazisë
Në tre vitet e fundit, projektligji u miratua nga parlamenti katër herë, por u përball me kundërshtim të ashpër nga presidenti Marcelo Rebelo de Sousa.
Në përpjekjen e pestë, projektligji u miratua me një shumicë prej 129 votash kundër 81. “Ne po konfirmojmë një ligj që tashmë është miratuar disa herë nga një shumicë e madhe,” tha deputetja socialiste pro-eutanazisë, Isabel Moreira.
Debati për vdekjen e asistuar nuk ka përfunduar
Me miratimin e ligjit të ri, Portugalia i bashkohet një numri të vogël vendesh që lejojnë eutanazinë. Shumica e vendeve të BE-së kanë dënime të rënda me burg për eutanazinë aktive.
Eutanazia ka qenë një temë debati në Portugali, e cila ka një përqindje të lartë të katolikëve.
Projektligji u miratua me mbështetjen e socialistëve në pushtet kur opozita kërkoi një referendum mes qytetarëve. Kritikët e eutanazisë ende shpresojnë se opozita do t’i kërkojë gjykatës kushtetuese të shqyrtojë projektligjin.