Piktura e famshme, e ekspozuar në Muzeun e Luvrit në Paris, spikat në renditjen e hartuar nga faqja turistike CouponBirds, për veprat që u lënë turistëve përshtypjen më negative.
Më e famshmja, më e dëshiruara, më… zhgënjyesja. Tashmë, Mona Lisa i zhgënjen vizitorët më shumë se çdo vepër tjetër arti në botë. Pritshmëritë janë shumë të mëdha, por rezultati është jashtëzakonisht negativ.
Pse të shohësh Mona Lizën është kaq e vështirë
E varur e vetme në mur, në zemër të hapësirës kushtuar artit italian, Mona Lisa është një nga veprat më të vizituara në Muzeun e Luvrit në Paris (30 mijë vizitorë në ditë, sipas vlerësimeve para Covid-it).
Fama e saj, është e tillë që, ka tabela që tregojnë, se si të arrihet. Mirëpo, meqenëse vepra ishte në shënjestër nga aktivistët e ndryshimeve klimatike, të shkohet pak më afër pikturës së famshme, është bërë e pamundur.
Rreth pikturës – me përmasa, 77×53 cm – u krijua një hapësirë e madhe e rrethuar, e mbajtur nën vëzhgim nga personeli i sigurisë. Dhe aty, përballë litarit të sigurisë, mblidhen dhjetëra njerëz në kërkim të shkrepjes së përsosur.
Si është bërë renditja
A do të ketë ndikuar kjo përvojë “e pakëndshme” e vizitës, në opinionin negativ të lënë nga përdoruesit ndërkombëtarë të CouponBirds?
Për të arritur në listën e “veprat më zhgënjyese të artit në botë”, janë analizuar mbi 18 mijë komente, mbi më shumë se 100 nga veprat më të famshme dhe më të vizituara.
Opinionet negative për Mona Lizën zënë 37% të totalit, shumë mbi mesataren prej 19%. “Kurrë nuk kam qenë kaq i zhgënjyer”, “Torturë”, janë disa nga komentet e lëna nga vizitorët në faqen e CouponBirds.
Radha, turma, çmimi i biletës (rritur nga 17 euro në 22 euro, në fillim të 2024) dhe vështirësia për të gjetur pikturën nëpër korridoret e gjata të Luvrit, e bëjnë përvojën e vizitës stresuese.
Veprat e tjera në renditje
Këtë e konfirmon edhe faqja, që ka nxjerrë renditjen: “Shpesh, ajo që të zhgënjen, nuk është vetë vepra e artit, por eksperienca e vizitës.”
“Veprat më të famshme të artit, janë viktima të suksesit të tyre, duke tërhequr turma të rrëmujshme dhe bileta shumë të shtrenjta.”