Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlic Radman, gjatë një vizite zyrtare në Kosovë ka thënë se modeli kroat i rregullimit të pakicës serbe mund të shërbejë si shembull edhe për Kosovën.
Pas takimit me homologen kosovare, Donika Gërvalla, ai tha se ky model ka pasur sukses në Kroaci, por varet nga shtetet sa mund të zbatohet tek sistemet e tjera.
“Më vjen mirë që Kroacia merret si model, natyrisht është bukur të dëgjohet. Qëllimi i sotëm këtu është forcimi i marrëdhënieve biletare dhe avancimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Është me rëndësi stabiliteti rajonal dhe dialogu brenda shteteve të Ballkanit. Kur flasim për modelin kroat mund të flasim që ky model është promovuar përmes Ligjit për të drejtat e pakicave dhe ndoshta mund të shërbejë si model.
Ky model ka rezultuar me sukses, por ekzistojnë modele të shumta në botë, por sa mund të përshtatet varet edhe nga shtetet. Kjo është çështje e brendshme, por ne e mbështesim çdo rezultat, çdo marrëveshje dhe Kroacia vetëm mund të mbështesë çdo qasje që ka synim marrëveshje ku të dyja palët janë të kënaqura”, tha ai.
Ndërsa homologia e tij, Donika Gërvalla, tha se asnjë Asociacion që shkel kushtetutën e Kosovës nuk është zgjidhje.
“Ne kemi trajtuar modelin e kemi parë, asnjë lloj asociacioni, mekanizimi nuk mund të implementohet në Kosovë nëse shkel Kushtetutën tonë, dhe shkel funksionimin e shtetit tonë. Çfarë kemi parë në Bosnjë dhe Hercegovinë me serbët, nuk mund të ndodhë këtu.
Ky rajon mjaft e ka një Republikë Serbe nuk ka nevojë për një të dytë. Të gjitha modelet që kemi parë, kemi konstatuar se Kushtetuta e Kosovës u jep shumë më shumë të drejta komuniteteve”, tha Gërvalla.