Mesfushori i përfaqësues kroate Nikola Vlasic e mbyll para kohe Europianin e Gjermanisë. Shkak është bërë një dëmtim muskulor i mesfushorit të Torinos, referuar një komunikate nga federata kroate e futbollit.
“Trajneri Zlatko Dalic, në marrëveshje me Vlasic dhe shërbimin mjekësor, ka marrë vendim që Nikolla të largohet nga kampi i Kombëtares, pasi lëndimi i tij nuk e lejon të garojë për ndeshjet e Europianit”, thuhet në njoftimin zyrtar të federatës.
“Nikola investoi shumë përpjekje dhe energji për të ndihmuar kombëtaren në Europian dhe kjo është arsyeja pse më vjen shumë keq për këtë dëmtim muskulor që pësoi. Nikolla është pjesë e pandashme e kësaj skuadre, pasi ai nga ana e tij donte të ishte pjesë e ekipit në kompeticionin e madh. Fatkeqësisht, një tjetër lëndim ndodhi dhe unë vetëm mund ta falënderoj Nikollën për përpjekjen e tij të madhe dhe t’i uroj një shërim të shpejtë dhe që të kthehet në fushë në formën e tij më të mirë”, tha Dalic.
Kujtojmë se Vllashic është futur në listën e Dalic për Euro 2024 edhe pse kishte probleme me një dëmtim. Në ndeshjen e javës së 35-të të Serisë A, që Torino luajti kundër Bolonjës (0:0), ai u largua nga fusha në minutën e 28-të për shkak të një lëndimi muskulor.
“Më vjen jashtëzakonisht keq që për shkak të këtij dëmtimi të ri nuk do të mund ta ndihmoj ekipin gjatë këtij Europiani. Unë vërtet bëra gjithçka për t’u përgatitur për përgatitjet dhe falënderoj trajnerin dhe stafin për mundësinë për të treguar se jam gati në stërvitje, gjë që besoj e bëra në prag të Euro 2024. I uroj ekipit fat të mirë, besoj sa më shumë tek ata dhe jam i sigurt se do të arrijnë suksese të reja në këtë Europian. Ata do të kenë tifozin më të madh tek unë”, ka thënë Vlashic.
Të Mërkurën në 15:00, Kroacia do të përballet me Shqipërinë, në takimin e dytë të grupit për të dyja ekipet.