Dirigjenti i mirënjohur, Zhani Ciko është rrëfyer për herë të parë për jetën e tij, duke u ndalur te disa momente të rëndësishme.
Ai tregon se në moshën 24-vjeçare e dërguan në Patos, pasi guxoi të ngrinte zërin për muzikën.
Ciko ka zbuluar se ndryshe nga të tjerët me pozita, të cilëve u pëlqente rehatia, ai vendosi të parin artin dhe cilësinë e mirë.
“Problemi ishte se unë u emërova në opera si violinist dhe brenda një kohë të shkurtër, u bëra edhe koncert-maestro i saj, i pari violinist, nga që kisha edhe arsimin e plotë dhe ishte diçka shumë e mirë. Por ishte koha, kur ishte hequr i gjithë repertori klasik dhe disa masa shtrënguese bën që ne të mbeteshim keq. Atë që kishim përgatitur në shkollë, nuk kishim mundësi ta bënim.
Edhe shumë drejtues në atë kohë, disa me emër kishin gjetur pozitat e tyre, kishin dal jashtë dhe nuk kishin interes shumë që të thonin mendime që në një fare mase mund t’i penalizonin. Edhe ky guximi im ra në sy, megjithëse unë isha një violinist pa qenë i përfshirë në jetën politike. Nuk isha as anëtar partie, familja ime ishte një familje patriotësh, artistash, të angazhuar shumë në kulturën shqiptare, por deri këtu shkonte puna”, tha ai.