Kjo padyshim është historia më e veçantë që mund të keni dëgjuar. Herën e fundit që Igor de Santis kandidoi për kryetar në Ingria, fshat ky i vogël i rrethuar me male pranë Torinos, ai fitoi bindshëm. Por, ai tani po përballet me një sfidë të vështirë për një mandat të katërt, pasi nëna e tij i është bashkuar partisë rivale. Ingria, një nga fshatrat më të vegjël në Itali, ka 46 banorë.
Santis 42 vjeç, ka drejtuar administratën e fshatit që nga viti 2009 dhe ka pritur konkurrencë në garën për kryetar nga opozitari 70 vjeçar, Renato Poletto. Situata u ndërlikua kur një banor i Milanos, Stefano Venutti, e shpalli kandidaturën e tij, shkruan the Guardian. Dhe më pas gara u përmbys kur Poletto njoftoi se ka siguruar mbështetjen e nënës së Santis, Milena Crosasso. Në total, 30 qytetarë tani konkurrojnë për kryetar fshati. “Unë i kërkova nënës sime të bashkohej me mua, por pasi ajo e pa se lista e Polettos ishte kryesisht me gra, vendosi të shkonte me të”, tha Santis.
Por, Crosasso tha se rivaliteti nuk do të ndikojë në harmoninë e tyre familjare. “Si djali im, edhe unë, duam më të mirën për komunitetin”, tha zonja Crosasso. Ingria ndodhet në luginën Soana të Italisë dhe përballet me probleme të ngjashme me fshatrat e tjera malore si shpopullimi, shërbimet e pakta dhe sfidat me borën gjatë dimrit. Që nga viti 2022 kur edhe u emërua si ndër fshatrat më të bukur të Italisë, Ingria ka pasur rritje të turizmit.