Edhe vetëm 2 ditë na ndajnë nga sfida e shumëpritur mes Italisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kampionatin Europian.
Para këtij dueli special ka folur edhe Igli Tare, i cili në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport” tremb italianët duke theksuar se të kaltrit përveç eksperiencës, nuk kanë asgjë më shumë se Shqipëria.
“Italia favorite? Unë them jo, edhe duke pasur parasysh ndeshjet e fundit. Italia është më me përvojë, ky është avantazhi i saj i vetëm: për nga cilësia e skuadrës, Shqipëria mund të konkurrojë në kushte të barabarta nëse menaxhon mirë faktorin emocional. Duhet menaxhuar mirë aspekti emocional sepse në të tilla ndeshje mund të bllokohesh.
Shoh që Italisë i mungon diçka në lojë, por mund të përmirësohen gjatë turneut. Besoj se lojtari kryesor i tyre është Skamaka. Mund të jetë surpriza e këtij Europiani nëse konfirmon formën e këtyre dy muajve të fundit. Por, besoj se duelin mes tij dhe Gjimshitit do ta fitojë mbrojtësi shqiptar. E njeh mirë dhe di si ta ndalë.
Çfarë i ka sjellë Spaleti skuadrës së Italisë? Siguri dhe mentalitet fituesi. Di si ta sjellë skuadrën në formën e duhur, në momentin e duhur, edhe sa i takon aspektit emocional. Dhe për më tepër aty pranë ka një figurë si Bufon”, u shpreh Tare.