Një nga anëtarët legjendar të The Beatles, John Lennoni dhe artistja Yoko Ono, u takuan për herë të parë pas shfaqjes së një artisti japonez në Londër më 9 nëntor 1966. Dy vjet më vonë, ata filluan të takoheshin. Letra e mëposhtme jep një pasqyrë të shkurtër të historisë së tyre të dashurisë, por mbi të gjitha idealeve të tyre të përbashkëta.
“Gjatë 10 viteve të fundit, kemi zbuluar se gjithçka që dëshironim u bë realitet në kohën e vet, për mirë a keq, dhe në një mënyrë apo tjetrën. Vazhduam që t’i thoshim vetes që një nga këto ditë duhet të organizohemi dhe të dëshirojmë vetëm gjëra të mira.
Pastaj erdhi në jetë fëmija ynë! Ishim shumë të lumtur dhe në të njëjtën kohë ndiheshim se kishim shumë përgjegjësi mbi shpatulla. Tani dëshirat tona do të ndikonin edhe tek ai. Ndjemë
se ishte koha t’i jepnim fund diskutimeve dhe të fillonim rishikimin e mekanizmave tanë të dëshirave:Pastrimi pranveror i mendjeve tona! Ishte një punë e madhe.
Na ndodhi të gjenim në dollapët e vjetër të mendjes sonë gjëra që nuk e dinim se i kishim ende, gjëra që shpresonim të mos i gjenim më kurrë. Gjatë pastrimit, nisëm gjithashtu të vëmë re shumë gjëra që nuk ishin në rregull në shtëpinë tonë:një raft që nuk duhej të kishte qenë kurrë aty ku ishte, një pikturë që kishte nisur të mos na pëlqente më.
Po ashtu kishte 2 dhoma të zymta që u bënë më të ndriçuara dhe më të ajrosura kur rrëzuam murin që i ndante. Filluam që t’i duam bimët:dhe të mendosh që në fillim ishim të bindur se bimët na vidhnin ajrin! Filluam të vlerësonim ritmin e furishëm të qytetit, që dikur na shqetësonte.
Kemi bërë shumë gabime dhe vazhdojmë të bëjmë. Dikur kemi shpenzuar shumë energji në përpjekje për të arritur diçka që mendonim se dëshironim. Pyesnim veten pse nuk mund ta arrinim atë, por zbuluam se njëri ose të që dy nuk e donim vërtet atë.
Një ditë morëm një sasi të madhe çokollatash të dërguara nga njerëz në mbarë botën. “Hej, çfarë është kjo gjë? Ne nuk i hamë gjërat të ëmbla! Kush ishte ai që i dëshiroi?”. Qeshnim. Ne zbuluam se kur të dy donim diçka në unison, kjo ndodhte më shpejt. Siç thotë Bibla, “Aty ku janë mbledhur dy në emrin tim”. është e vërtetë. Dy janë shumë. Një farë pastruese shumë e fuqishme.
Ne po fillojmë që të urojmë dhe të lutemi gjithnjë e më shumë. Gjërat që u përpoqëm t’i arrinim në të kaluarën duke bërë shenjën e paqes, tani kërkojmë t’i arrijmë përmes dëshirës. Nuk e bëjmë sepse është më e thjeshtë. Dëshira është më efektive sesa valëvitja e flamujve.
Ajo funksionon, tamam si një magji. Magjia është e thjeshtë dhe e vërtetë. Sekreti është të dish se është e thjeshtë, dhe të mos e vrasësh atë me rituale të sofistikuara, të cilat janë një shenjë pasigurie. Kur dikush zemërohet me ne, ne vizatojmë me mendjen tonë të një aureolë rreth kokës së tij.
Dhe pastaj ai pushon së zemëruari me ne? Epo, nuk e dimë. Por nga ana tjetër e dimë se meqë vizatojmë aureolën rreth tij, se befas ai nis të na duket si një engjëll. Kjo na ndihmon të ndiejmë dashuri për njerëzit, na kujton se secili ka të mirat e veta brenda, dhe se të gjithë njerëzit që vijnë tek ne janë engjëj të maskuar që na sjellin dhurata dhe mesazhe nga Universi.
Magjia është logjikë. Provojeni ndonjëherë. Kemi ende një rrugë të gjatë për të përshkuar. Duket sikur sa më shumë pastrojmë, aq më shpejt funksionon procesi i dëshirimit dhe pranimit të gjërave. Tani shtëpia është bërë shumë komode. Sean është shumë i bukur. Bimët po rriten. Macet gërhasin të kënaqura.
Qyteti shkëlqen, qoftë në kohe me diell, shi apo borë. Ne jetojmë në një univers të bukur. Jemi mirënjohës çdo ditë për plotësinë e jetës sonë. Dhe nuk e them si klishe. Ne e dimë se qyteti, vendi, bota po përballen me kohë shumë të vështira, dhe në ajër ndihet një atmosferë terrori. Por dielli ende shkëlqen, ne jemi ende bashkë. Midis nesh ka dashuri, dhe po ashtu në qytetin tonë, në fshat, nëpër botë.
Nëse dy njerëz si ne po jetojnë në këtë mënyrë, çdo mrekulli është e mundur! Është e vërtetë, tani do të na duhej një mrekulli të madhe. Çështja është t’i pranojmë ato kur ndodhin dhe të jemi mirënjohës për to. Fillimisht ato shfaqen në një formë të reduktuar, në jetën e përditshme, pastaj vijnë në forma të mëdha, si lumenj dhe oqeane. Çdo gjë do të rregullohet! E ardhmja e botës është në duart e të gjithëve”.
New York, 27 maj 1979.