Mesaduket as titulli kampion nuk e bindi ish teknikun e Partizanit, italianin Giovanni Colella.
Menjëherë pas përfundimit të sezonit Colella ka dhënë dorëheqjen.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, skuadra e Partizanit njofton për dorëheqjen e teknikut Colella.
“Trajneri largohet nga Partizani pas një viti të suksesshëm ku arriti së bashku me skuadrën objektivin madhor, titullin kampion. Falenderojmë për kontributin misterin Colella, që largohet nga Shqipëria si trajneri kampion. I bëjmë me dije se dera e Partizanit do të mbetet e hapur për bashkëpunime të tejra në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas.
Kujtojmë se italiani mori drejtimin e “Demave” gjatë Gushtit të verës së kaluar dhe udhëhoqi skuadrën drejt fitimit të titullit kampion, i 17-ti në historinë e klubit kryeqytetas.
Plot 42 ndeshje regjistroi Colella si trajneri i Partizanit, me një bilanc pozitiv prej 24 fitoresh, 8 barazimesh dhe 10 humbje. Colella bëhet zyrtari i radhës që largohet nga Partizani pas titullit kampion, pas drejtorit sportiv, Elton Marini.
Partizani bëhet klubi i 9-të nga 10 skuadrat e Superligës që kryen ndryshime në pankinë në këtë sezon, ku i vetmi i mbijetuar në stol është Orges Shehi nën drejtimin e Tiranës.