Do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, opera e njohur Aida.
Trekëndëshi i një dashurie pasionante të ndaluar mes princeshës së Etiopisë, Aida, komandantit të ushtrisë së Egjiptit, Radamès, dhe të bijës së Faraonit, Amneris. Ngjarja merr tjetër rrjedhë kur Radamès urdhërohet të luftojë në betejën kundër kombit të Etiopisë, duke mos ditur se Aida është princesha e tyre, dhe i tregon asaj të gjithë planin ushtarak.
Aida duhet të vendosë mes besnikërisë ndaj vendit të saj dhe përkushtimit ndaj djalit që ajo dashuron. Dilema e zgjedhjes mes dashurisë dhe detyrës përballët edhe nga Radamesi, i cili në fund tradhton atdheun e tij për shkak të Aidës.
Se ç’do të ndodhë me dashurinë e ndaluar të komandantit egjiptian dhe princeshës etiopiane, ju ftojmë ta ndiqni në Egjiptin e lashtë 🇪🇬 që do krijohet në TKOB, me operën e përjetshme të Giuseppe Verdi-t, “Aida”, e cila vjen si premierë nga 23-27 qershor, vetëm në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Muzika magjepsëse e Verdi-t me korale të fuqishme, arie magjepsëse dhe pasazhe gjithëpërfshirëse orkestrale do të përforcojë thellësinë emocionale të operës, e cila vjen nën idetë regjisoriale, skenografike dhe kostumografike të ikonës, maestro Franco Zefirelli, rivënie regjisoriale Stefano Trespidi, dhe asistencën e regjisores Ada Gurra.
Një vepër e përmasave të mëdha, do të vijë nga Orkestra Simfonike, Solistët, Kori dhe Trupa e Baletit e TKOB-së, me dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasserolli dhe maestros Dritan Lumshit, interpretuar nga artistë të mirënjohur shqiptarë dhe të huaj.
Ndaj bashkohuni në një udhëtim emocionues në botën e “Aidës”, ku dashuria e ndaluar shfaqet në një vepër të mrekullueshme artistike!
Në datat 23- 27 qershor ora 20:00