Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Rezoluta, e bashkësponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, kaloi me 84 vota për. Kundër ishin 19, ndërsa abstenime 68.
Dokumenti nxiti reagime të furishme në Serbi dhe në rajonin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, ku udhëheqësit thanë se ai do ta etiketojë gjithë popullin serb si “mbështetës” të vrasjeve masive.
Duke folur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ambasadorja e Gjermanisë, Antje Leendertse, tha se “rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt – as kundër Serbisë, anëtare e vlefshme e kësaj organizate”.
“Rezoluta shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha Leendertse.
Në adresimin e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”