Shemsi Prençi, ish-drejtues i Policisë, është shprehur se sot të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë përdorin numra anglezë e gjermanë, pas dekriptimit të bisedave në aplikacionet ‘Sky Ecc’ dhe ‘Encrochat’.
Komentet Prençi i bëri në emisionin ‘Now me Erla Mëhillin’ në Euronews Albania, ku tha po ashtu se zyrtarët veç numrave të huaj, përdorin edhe disa aplikacione të tjerë, për të cilat sipas tij, SPAK është në dijeni.
Ai tha gjithashtu se do të vijë një ditë që të gjitha aplikacionet ‘e fshehta’ do të zbërthehen.
“Është shumë e rëndësishme, që duhet ta pranojmë, që SPAK gjithmonë do të ketë Nuredin Dumana, të penduar që do prodhojnë lajm për gazetarët, material për Prokurorinë, produkt për gjyqësorin. Por ndërkohë do të ketë edhe në të ardhmen disa aplikacione të tjerë që do të zbërdhehen.
Sepse e di ti sot modën e zyrtarëve të shtetit se me çfarë komunikojnë pas dekriptimit të bisedave në Sky dhe Encrochat? Marrin numra anglezë, marrin numra anglezë. Gjithë zyrtarët i ke me numra anglezë dhe komunikojnë në disa aplikacione të tjera.
I ka mësuar SPAK edhe këto. Do të vijë një ditë, e kam fjalën për të gjithë ata që duan të punojnë për garantimin e rendit publik për qytetarët, gjithmonë do të ketë një institucion që do të zbarthejë një aplikacion apo një tjetër, sepse edhe ata janë në luftë me grupet kriminale”, tha Prençi.