“Ne jemi të angazhuar shumë për perspektivën evropiane të Kosovës, Kosova ka vendin e vet në institucionet evropiane, por Kosova duhet të avancojë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, sepse është e domosdoshme për integrimin e evropian“.
Kjo ishte një pjesë e shkëputur nga fjalimi i Ambasadorit francez në Kosovë, Olivier Guerot, ku ka folur për marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër. Guerot paralajmëroi pasoja nëse kjo marrëveshje nuk do të respektohet.
Ai tha se diskutimet në Ohër janë bërë në kuadër të asaj se çfarë është pranuar më 27 Shkurt, teksa u shpreh i lumtur për arritjen e këtij pakti.
Ai ka thënë se do e ndjekin me vëmendje respektimin e këtyre marrëveshjeve dhe se sipas tij, do ketë pasoja nëse nuk respektohen.
“Ne do ndjekim me vëmendje respektimin e këtyre marrëveshjeve. Do të ketë pasoja nëse këto marrëveshje nuk respektohen. Edhe para agresionit në Ukrainë ka pasur angazhime, janë kontributet tona për t’i zgjidhur këto çështje në mënyrë që perspektiva e të dy vendeve në kontekstin e krijuar pas agresionit rus në Ukrainë ka nxitur edhe me shumë që të dy vende të shkojnë drejt BE-së”, tha Guerot.
Edhe pse një “njohje de facto” për herë të parë Bashkimi Evropian ka arritur të zgjidhë nyjat për negociatat e Kosovës dhe Serbisë. Megjithëse pa nënshkrimin e palëve dhe “kapriçot” nga ana e Serbisë, BE e pa si sukses këtë pikë të negociatave. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mirëpriti pajtueshmërinë mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.
Kryediplomati amerikan përgëzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Vuçiç, për lidershipin e treguar për arritjen e kësaj marrëveshjeje.
Edhe Presidenti serb Vuçiç edhe Kryeministri i Kosovës, Kurti e kanë paraqitur si sukses. Normalizimi nëpërmjet dy vendeve është një ndër çështjet më të nxehta në Ballkan.
Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.
Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.