Gjykata e Barcelonës ka vendosur që të mbajë në burg lojtarin Dani Alves derisa të përfundojë hetimi i plotë dhe të zhvillohet gjyqi për akuzën e përdhunimit që i ka ngritur një 23-vjeçare. Seanca gjyqësore e zhvilluar pak ditë më parë ka qenë e mbyllur për mediat, por pak nga pak po zbulohet ajo që është diskutuar në sallën e gjyqit.
Në Spanjë po bëjnë shumë bujë fjalët e avokatit të Dani Alves, i cili pretendon se pamjet e kamerave tregojnë se marrëdhënia mes të dyve kishe qenë konsensuale dhe nuk kishte pasur asnjë lloj përdhunimi siç pretendon viktima.
“Frika që ajo tregon se ka përjetuar nuk përputhet me çfarë ka deklaruar në polici”, insistonte avokati Kristobal Martej. “Është evidentuar nga kamerat se kishte “avanca” seksuale mes të dyve para aktit, kërcyen bashkë, duke u fërkuar, ai i prek disa herë prapanicën… ajo e kërkonte vetë, pa u shfaqur në asnjë moment ky skenar i terrorit që e reja tregon para gjykatës”, tha avokati i mbrojtjes për Dani Alvesh.
Gjykatësja e çështjes kishte bërë të qartë në vendimin për të mbajtur në burg Dani Alves se çfarëdo gjëje që kishte ndodhur më përpara, nuk justifikon atë që pretendohet se ka ndodhur në banjën ku u krye akti seksual, sipas viktimës pa miratimin e saj.