Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është bashkuar punimeve të samitit për Ukrainën në Tiranë. Në hyrje Osmani u prit nga presidenti Volodymyr Zelensky dhe kryeministri Rama. E pyetur nga gazetarët nëse do të kërkojë njohjen e Kosovës nga Zelensky, Osmani tha se gjithmonë e kanë kërkuar dhe është e bindur ky moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës.
A do kërkoni njohjen e Kosovës?
Osmani: Këto janë çështje bilaterale, gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë në mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje lufte duke luftuar për lirinë dhe pavarësinë e saj. Jam e bindur që ai moment do vijë bashkë me fitoren e Ukrainës.Osmani tha se samiti për Ukrainën është një mundësi që të gjithë aleatët të japin mbështetjen për Ukrainën. Osmani tha se në samit do të flasë për qëndrimin e Kosovës mbi luftën, mbështetjen e popullit ukrainas dhe sanksionet për Rusinë.
“Ka shumë rëndësi se do kemi mundësi që ne aleatët të japim mbështetjen tonë për Ukrainën siç e kemi bërë që nga dita e parë duke vendosur sanksione duke mbështetur ukrainasit dhe ushtrinë ukrainase. Këtë do ta vazhdojmë ta bëjmë. Në samit do flas për hapat konkretë që Kosova po merr bashkë me aleatët”, tha Osmani.
Një koment e pati edhe për prezencën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
A do të ketë ballafaqim me Vuçiç?
Osmani: Gjithmonë kemi ballafaqime me ta se për fat të keq ata ende jetojnë me të kaluarën.