Kompanitë në vendet në mbarë botën po e konsiderojnë idenë për të shkurtuar ditët e punës në mënyrë që të rrisin produktivitetin.
E kundërta po ndodh në Greqi, ku punonjësve u është thënë se tani e tutje mund të punojnë një ditë të gjashtë. Sipas “The Guardian“, masa, e cila hyn në fuqi nga e hëna, është cilësuar si “barbare” nga sindikatat.
Qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis thotë se nisma u bë e nevojshme nga popullsia në tkurrje dhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar, mungesë që kreu i qeverisë e konsideron si një “bombë me sahat”. Kjo pasi rreth 500,000 grekë, kryesisht të rinj të arsimuar, vlerësohet të kenë emigruar jashtë vendit që kur nisi kriza e borxhit në vitin 2009.
Skema gjashtë-ditore, thonë zyrtarët, do të zbatohet vetëm për bizneset private që ofrojnë shërbime gjatë gjithë kohës. Por reagimi ka qenë i ashpër. Kritikët pretendojnë se reforma në fund të fundit tingëllon si trokitja e vdekjes së javës me 5 ditë pune. Madje dhe kanë dalë për protesta në rrugë kundër ndryshimit në ligj.
Ndërkohë që Athina shton ditët e punës, nëpër botë programet javore katër-ditore të testuara në mënyrë të përsëritur kanë treguar nivele të rritura të produktivitetit. Belgjika në vitin 2022 miratoi ligjin për t’u dhënë punonjësve të drejtën ligjore për të vendosur nëse duan që të punojnë 4 apo 5 ditë në javë, ndërsa programe të ngjashme “pilot” janë kryer në vende duke përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Japoninë, Afrikën e Jugut dhe Kanadanë.