Disa e quajnë lëvizje e lirë, shumëkush e perifrazon si largim, të tjerë e konsiderojnë si një eksod masiv. Në fakt, nuk është asgjë më shumë se një emigrim i përhapur në këto tri dekadat e fundit. Pamje të shtëpive të braktisura e të rrënuara i ndesh në çdo anë të Shqipërisë, qytete, të cilat zvogëlohen dhe bien të flenë, pa rënë muzgu. Kjo është një plagë e vjetër, që ende kërkon shërim në realitetin e sotëm, shqiptar.
Në një dokument të vitit 1942, që disponon Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë, Shqipëria përbëhej nga 1.003.097 banorë. Këto shifra i përkasin censusit të parë, shqiptar për vitet 1930-1940. Dendësia mesatare e Shqipërisë gjatë së njëjtës periudhë arrinte deri në 40 banorë për kilometra katrorë. “Kjo dendësi shkonte deri në 85-100 frymë në zona me klimë të shëndetshme, për të zbritur pastaj në 85-61, 60-30 dhe 30-20 në zonat malore dhe në ato me moçale”.
Në tri dekada vendi ynë po përballet me valën e tretë të emigrimeve. Në vitin 1989 në territorin shqiptar regjistroheshin 3.182.417 banorë. Fill pas kësaj periudhe u regjistrua edhe vala e parë e emigrimit të shqiptarëve drejt Greqisë, Italisë dhe vendeve të tjera të Europës. Specialistë pohojnë se asokohe rreth 450 mijë shqiptarë u larguan nga vendi. Shqipëria pluraliste dhe demokratike u përball edhe me një tjetër valë emigrimi pas trazirave të marsit 1997 dhe pas luftës në Kosovë në vitin 1999. Censusi i vitit 2001 flet për 3.069.275 shqiptarë brenda territorit. Në 12 vjet vetëm zyrtarisht u larguan nga Shqipëria 113.142 banorë.
Çdo ditë njihemi me shifra që flasin për braktisje dhe zvogëlim të banorëve brenda kufirit shqiptar, kryesisht të rinj, që si pasojë kanë sjellë edhe plakjen e popullatës; të dhëna, që na vrasin veshin përditë e më shumë në kronika televizive apo në raporte të institucioneve vendase dhe të huaja.
Të rinjtë, por edhe familje shqiptare, kanë zgjedhur largimin nga Shqipëria për një të ardhme që siguron më shumë. Në vitin 2012 të dhënat e Eurostat-it e listojnë Shqipërinë me një popullsi me rreth 2.9 milionë banorë dhe në vitin 2022 Shqipëria tkurret në 2.8 milionë. Vetëm në dhjetë vjet zyrtarisht u larguan nga vendi më shumë se 100 mijë shtetas shqiptarë. INSTAT raporton një shifër më të vogël. Më 1 janar 2023 Shqipëria numëron 2.761.785 banorë. Nuk janë vetëm krahina të thella, të lëna në harresë për shkak të natyrës së egër dhe mungesës së infrastrukturës, por edhe fshatra, që shtrihen fare pranë qyteteve. Ky fenomen i shoqërisë shqiptare është kthyer tashmë në një plagë dhe në një vatër infeksioni, ende të pashërueshme.
Britania e Madhe i ka tërhequr të rinjtë shqiptarë dhe është kthyer një ndër destinacionet e preferuara për emigrantët. Ky shtet prej vitesh përballet me flukse emigrantësh nga vendi ynë, të cilët zgjedhin mënyra ilegale për të kaluar kufirin. Rreth 33.000 emigrantë kanë hyrë në Britani në mënyrë të paligjshme në nëntë muajt e parë të vitit 2022, ku nga kjo shifër 11.241 emigrantë ishin të ardhur nga Shqipëria.
Shpeshherë emigrimi i shqiptarëve jashtë vendit është shoqëruar edhe me shqetësime nga vendet pritëse. Në vitin 2022 u shënua edhe sulmi i parë ndaj emigrantëve shqiptarë, i cili erdhi nga një zë i fuqishëm brenda qeverisë angleze. Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, në fjalën e saj në një seancë të zakontë, parlamentare, i cilësoi shqiptarët si persona me rekorde kriminale. Ky cilësim i shqiptarëve nga ana e një zyrtari në Mbretërinë e Bashkuar ngjalli dhe protestën e diasporës shqiptare atje, ku ndër të tjera nuk mungonin tabelat, të cilat në formë proteste iu tregonin qeveritarëve britanikë kontributin e shqiptarëve në jetën ekonomike dhe kulturore. Deklarata e Braverman-it ngjalli dhe reagimin e politikës shqiptare.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në X, u shpreh se Mbretëria e Bashkuar duhej të ndalonte diskriminimin e shqiptarëve. Sipas tij, me anë të retorikës së bërë ndaj shqiptarëve politika britanike po përpiqej që të justifikonte dështimet e saj.
“70% e 140.000 shqiptarëve, që janë shpërngulur në Mbretërinë e Bashkuar, jetonin në Itali dhe në Greqi. 1.200 prej tyre janë njerëz të biznesit. Shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Britania e Madhe duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave”, – shkruante Rama në X.
Të dhëna të tjera, të siguruara nga INSTAT, flasin për një numër më të lartë të emigrimit të shqiptarëve përtej kufirit. Nga viti 2011 deri në vitin 2022 zyrtarisht janë larguar nga vendi 512,200 qytetarë.